Punimet në rrugën Deçan – Plavë po vazhdojnë

Kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Deçanit janë duke vazhduar punimet në rrugën që lidh Deçanin me Plavën e Malit të Zi. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj tha se ky është zhvillim i favorshëm dhe nuk cenon as Zonën e Veçantë të Mbrojtur e as Manastirin e Deçanit. Ai vlerëson se kjo pjesë është pasuria më e madhe që ka Kosova.

Kreu i Deçanit ka vënë në theks se janë të përkushtuar maksimalisht që në të ardhmen të ndodhë edhe rehabilitimi i rrugës në Zonën e Veçantë.

“Mirëpo, në të ardhmen pritet që edhe rehabilitimi i rrugës që është në Zonën e Veçantë, të ndodhë, dhe ne jemi duke dhënë përkushtimin tonë maksimal. Si komunë bashkë me faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në bashkëbisedim me personelin e Manastirit po mundohemi t’ua shpjegojmë dhe t’i bindim që ky është zhvillim i favorshëm për të gjitha palët që nuk e cenon as Zonën e Mbrojtur e as manastirin e Deçanit”, tha Ramosaj.

Se pjesa ku po zhvillohen punimet nuk i përket Zonës së Mbrojtur të Manastirit të Deçanit e potencon edhe Bekim Mushkolaj, kryetar i Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri” në Deçan. Sipas tij, udhëheqësit e manastirit po propagandojnë me qëllim të krijimit të problemeve të panevojshme.

“Mendoj që disa njerëz të diplomacisë serbe dhe vetë manastirin e Deçanit po e pengon zhvillimi ekonomik i Deçanit sepse e vetmja mënyrë për rritjen e zhvillimit ekonomik të Deçanit është kjo rrugë, kjo arterie”, tha Mushkolaj.

Shperndaje