Përjetësisht krenar

Kristjan Gj. DUKAJ

Pjesëmarrja historike e Kombëtares në kampionatin evropian të futbollit, vetvetiu është e paharruar, pasi kjo ishte hera e parë që Shqipëria të prezantohet në rivistën më të madhe të futbollit në kontinentin e vjetër.

Por jo vetëm kaq! Gjithçka që ndodhi në stadiumet franceze, para opinionit Evropian dhe botëror lidhur me lojën e djemve shqiptar, do të mbetet e paharruar. Loja e treguar në fushë, sjellja e lojtarëve dhe tifozerisë shqiptare, është theksuar si diçka e veçantë, e paparë ndonjëherë më parë.

Dhjetëra mijëra flamuj Kombëtar në duart e tifozëve shqiptar, jo vetëm në ulëset brenda stadiumeve por edhe nëpër rrugët e qyteteve dhe ambiente tjera, i dëshmuan botës si duhet përkrahur kombëtarja e vet, si duhet kombi dhe atdheu.

Prandaj, është plotësisht e arsyeshme që futbolli ishte temë kryesore, jo vetëm në hapësirën gjithë shqiptare, por kudo që jetojnë shqiptar pasi zemra e secilit ishte në Francë, me djemtë e përfaqësueses shqiptare. Për të bërë histori, duhet shumë; sakrificë, punë, vullnet, dashuri dhe përkushtim, sidomos kur është fjala për kombin dhe atdheun.

Pjesëmarrja e parë, loja e parë, goli dhe fitorja e parë, jetojnë përjetësisht. Sidomos, për gjeneratën tonë që patëm kënaqësinë ti përjetojmë të gjitha këto e që brezat para nesh nuk patën rast.

Kështu vepruan djemtë kuqezinj , të cilët kryelartë u kthyen në atdhe ku, po ashtu, ishte organizua  pritje historike nga bashkëkombësit   e vet  si dhe nga autoritetet më të larta shtetërore. As kjo nuk kaloi pa u regjistruar nga opinioni botëror si diçka e paparë.

Media të shumta ndërkombëtare njoftuan për detajet e ceremonisë zyrtare pas kthimit nga Franca të djemve kuqezinj dhe stafit të tyre.

Atmosferë e paparë, kënaqësi dhe lumturi e pafund në sheshe dhe rrugët e Kryeqytetit shqiptar, e përshkruar në media dhe raporte të shumta publike, por ajo që s’mund të përshkruhet dhe jeton përgjithmonë është krenaria që na sollën djemtë e Kombëtares  këtyre ditëve të bukura të muajit qershor.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!