Pejoviq: Mali i Zi nuk ka problem lidhur me marrveshjen me Kosovën për kufirin

Ministri i Integrimit Evropian i Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejoviq, në një intervistë të shkurtër dhënë gazetës Zëri, në Dubrovnik, ka thënë se Mali i Zi nuk ka kurrfarë problemi sa i përket kësaj marrëveshjeje, për këtë arsye ka kohë që e ka ratifikuar atë në parlamentin e saj.

“Mali i Zi nuk ka kurrfarë problemi sa i përket kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Pejoviq. I pyetur rreth deklaratave të kandidatit për kryeministër të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, se kjo marrëveshje nuk do të kalojë në formën në të cilën është dhe si e sheh mënyrën e përfundimit të kësaj çështjeje, Pejoviq është shprehur i rezervuar. “E di, mirëpo nuk mund të flas për këtë pasi që kjo është një çështje politike e brendshme e Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri malazez është shprehur i rezervuar edhe rreth mundësisë së rinegocimit të kësaj marrëveshjeje pasi të formohen institucionet e reja në Kosovë.

“Kjo është një pyetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Realisht unë nuk mund ta komentoj këtë”, ka thënë ai. Megjithatë, ai nuk është shprehur i rezervuar sa u përket marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. “Mund të them se marrëdhëniet në mes të dyja vendeve janë të mira”, ka thënë Pejoviq.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!