Skender Durmishi përmbyll mandatin e tij si ambasador i Kosovës në Mal të Zi

Në përmbyllje të mandatit të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, ambasadori Skender Durmishi është pritur dje nga presidenti Millo Gjukanoviq.

Presidenti Gjukanoviq, ka vlerësuar se vënia në fuqi e marrëveshjes për kufirin, hapja e qendrës malazeze për zhvillim në Kosovë, si dhe emërimi i konsullit të nderit, janë procese që e kanë përforcuar besimin dhe e kanë avancuar bashkëpunimin mes dy shteteve.

Sipas njoftimeve nga zyra e tij, ka lavdëruar punën e ambasadorit Durmishi për “bashkëpunim të shkëlqyer gjatë mandatit të tij diplomatik dhe për kontribut përparimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

Ambasadori Durmishi me këtë rast ka falënderuar presidentin Gjukanoviq dhe institucionet e Malit të Zi që i kanë krijuar kushtet e duhura për ushtrim të papenguar të mandatit të ambasadorit për mbrojtje të interesave të Kosovës dhe përfaqësim efikas gjatë tri viteve në krye të Ambasadës në Mal të Zi.

“Mund të konstatoj me kënaqësi se pas tri vitesh shërbimi, si ambasador i parë i Kosovës në Mal të Zi, po lë një nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si bazë solide për vazhdim të mëtejmë me përparësi ekonomia dhe infrastruktura si dhe këmbime aktive të vlerave kulturore të cilat forcojnë edhe më shumë lidhjet mes nesh” , tha ambasadori Durmishi.

Raportet e mira ndërmjet dy vendeve janë konstatuar edhe në takimet që pati ambasadori Durmishi me krerët e tjerë të institucioneve të Malit të Zi, kryetarin e Kuvendit, Brajoviq, nënkryetarin Nimanbegu dhe ministrin e jashtëm Darmanoviq.


http://www.malesia.me/28/06/2019/nimanbegu-priti-ambasadorin-e-kosoves-skender-durmishi-ne-viziten-e-lamtumires/?fbclid=IwAR1EzKRnUufm65H_laNWqC50Flxew9oLqvUisakrDCz8S97msrJ2SueFZP4

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!