Serbia arreston drejtorin e Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi

Policia serbe ka arrestuar drejtorin rajonal të Policisë së Kosovës të rajonit të Mitrovicës së Jugut, Nehat Thaçi, i ka konfirmuar lajmin Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Sipas njoftimit të zëdhënësit Hoxha, në momentin e arrestimit Nehat Thaçi ishte jashtë detyrës së tij zyrtare dhe së bashku me një shokun e tij po udhëtonte për çështje private nëpër territorin e Serbisë për në shtetet perëndimore”.

MPB e Serbisë: Thaçi u arrestua në bazë të fletarrestit për “terrorizëm” 

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka konfirmuar njoftimet se policia ka arrestuar Nehat Thaçin, nga Ferizaj, në bazë të “fletarrestit të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Në kumtesën e Ministrisë thuhet se “Thaçi u arrestua të mërkurën në mbrëmje rreth orës 20 në vendkalimin administrativ Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë Qendrore”.

“Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Thaçi është dërguar në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Në bazë të njoftimeve të dhëna nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Thaçi do të duhej të paraqitej përpara gjykatës gjatë ditës së enjte, më 29 shtator.

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!