Qeveria e Kosovës tregon detajet e vizitës së kryeministrit të Malit të Zi në Prishtinë

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq më 6 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kjo vizitë do të ndodh në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015. Këtë marrëveshje Kuvendi i Mali i Zi e ka ratifikuar, por jo edhe ai i Kosovës.

Gjatë vizitës së tij, Markoviq do të zhvillojë takime me kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Temë e këtyre takimeve pritet të jetë edhe çështja e Demarkacionit. Kështu ka bërë të ditur, Donjeta Gashi, drejtoreshë e zyrës për Informim në Kryeministri.

“Natyrisht që në këtë vizitë do të bisedohet edhe për Demarkacionin. Është në interesin e të gjithëve që çështja e Demarkacionin të zgjidhet sa më parë. Tash ajo është në dorën e deputetëve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Gashi po ashtu ka treguar se gjatë kësaj vizite pritet të diskutohet edhe për planifikimin e mbajtjes së një mbledhje të përbashkët mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë, do të ketë në fokus zhvillimin e raporteve të mëtutjeshme bilaterale mes dyja vendeve. Ka shumë fusha në të cilat mund të zhvillohen këto raporte. Një mbledhje e përbashkët në mes të dy qeverive është treguar e suksesshme me Shqipërinë, po e planifikojmë me Maqedoninë dhe gjithashtu po synohet që kjo të bëhet edhe me Malin e Zi”, u shpreh ajo.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!