Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë V. – Shqiptarët nuk e pranojnë shtyrjen

Kryeministri Zoran Zaev dhe drejtuesi i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së ranë dakord të hënën që të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë dhe që opozita të zhbllokojë punimet e parlamentit.

Regjistrimi që brenda vendit duhej të zhvillohej nga 1 deri më 21 prill, tani do të shtyhet për në vjeshtë, nga 5 deri më 30 shtator.

Ndërkohë, diaspora që tanimë po regjistrohet përmes një aplikacioni në internet do të vazhdojë regjistrimin deri në përfundimin e censusit në shtator.

Procesi shtyhet me kërkesë të opozitës për shkak të gjendjes me koronavirusin dhe për t’u dhënë kohë regjistruesve të imunizohen.

Opozita shqiptare nuk pranon shtyrje të regjistrimit: Do ta pengojmë shtyrjen përmes badenterit

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk do të pranojnë shtyrje të procesit të regjistrimit. Këtë e kanë thënë sot në konferencë për media liderët e dy subjekteve politike, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët u shprehën decid se, shtyrja e regjistrimit për të cilën u morën vesh dje kryetarët e dy partive maqedonase LSDM dhe VMRO, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, pa pjesëmarrjen e partive politike shqiptare, është e papranueshme.

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, tha se, çfarë do që këto parti politike janë marrë vesh në takimin e djeshëm është e barazvlefshme me zero për opozitën shqiptare dhe se shtyrjen e regjistrimit, do ta pengojnë përmes mekanizmit të badenterit.

“Ka ardhur koha që të bien maskat. Nuk mundet që shqiptarët të trajtohen me telefon dhe të pyeten për qëndrimet e tyre, nuk e di për këtë le të deklarohet zotëri Ahmeti sepse goxha po luhet me të, fatkeqësisht me të dhe gjithë ata shqiptarët që i kanë dhënë votën edhe ato shqiptarë që ua ka vjedh votën dhe e ka vënë në lojë legjitimitetin. Ne qartas po e themi, do ta ndalojmë shtyrjen e regjistrimit me mekanizimin e badenterit të cilën e kemi në dorë. I bëjmë thirrje të gjithë partive parlamentare shqiptare ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm”, tha Sela.

Xhaferi: Jam kundër shtyrjes së regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili vjen nga radhët e BDI-së, Talat Xhaferi u shpreh kundër anulimit të regjistrimit të popullsisë për në shtator.

Ai theksoi se është kundër shtyrjes së regjistrimit dhe se i njëjti duhet të zbatohet sipas afatit të paraparë ligjor.

“Unë jam kundër shtyrjes së regjistrimit. Ne kemi pasur zgjedhje në mes të pandemisë. Regjistrimi është akt individuale ku regjistruesi shkon te familja sipas protokolleve dhe bën regjistrimin”, thotë Xhaferi.

Sipas tij, nuk duhet të shtyhet regjistrimi dhe se duhet të respektohet ligji dhe Kushtetutës.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!