Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq më 6 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, kurse lidhur me qëllimin e vizitës ka folur këshilltari politik i kryeministrit malazez.
Këshilltari i kryeministrit të Malit të Zi dhe shefi i zyrës të Qeverisë për marrëdhënie me publikun, Srgjan Kusovac, ka treguar për mediat në Kosovë qëllimin e vizitës së kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.
I pyetur nëse vizita e kryeministrit Markoviq ka të bëjë me demarkacionin dhe gjetjen e një kompromisi lidhur me Marrëveshjen e demarkacionit mes dy shteteve, Kusovac nuk ka dashur të komentojë, duke thënë se është një vizitë e rregullt.
“Bëhet fjalë për një vizitë të rregullt bilaterale dhe të rëndësishme, meqë kemi të bëjmë me dy vende fqinje dhe mike”, tha Kusovac.
Vizita e kryeministrit malazez ndodh në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të deklarohet përfundimisht rreth Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është nënshkruar në vitin 2015.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri malazez do të zhvillojë takime me kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.