BE, 150 milionë euro për projektet në Ballkan (Video)

0

Në Ministerialin e organizuar në Durrës ku ishte i pranishëm dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hann, u ra dakord që Bashkimi Europian do të financojë brenda 2016-s të gjitha projektet infrastrukturore dhe energjetike që janë propozuar nga kryeministrat e rajonit në samitet në Berlin e Vjenë.

Vendimi vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, i nisur në vitin 2014, proces i cili në thelb synon përshpejtimin e procesit të integrimit.

Sot komisioneri europian Johannes Hahn, njoftoi se “nga ana europiane kemi vendosur të vëmë në dispozicion një financim  të ndjeshëm për këtë vit, rreth 150 milion euro, si formë e një pakete investimi që synojmë ta prezantojmë në Paris. Është një shifër domethënëse përsa i përket projekteve që na janë prezantuar. Bëhet fjalë për pjesën më të madhe të projekteve, dhe jo ku secili vend do të ketë nga një, por ato që kanë ecur mjaftueshëm në përgatitjet për t’u zbatuar”.

Në Procesin e Berlinit janë përfshirë 10 projekte të mëdha për vendet e rajonit, 6 prej të cilave kanë të bëjnë me transportin, ndërsa 4 të tjera me energjinë.

Fondet e BE-së do të shkojnë edhe për të rinjtë, veçanërisht bashkëpunimi rinor midis Serbisë dhe Shqipërisë. Në Tiranë do të jetë edhe selia e Fondit për Ballkanin, i ngjashëm me atë të vendeve të grupit të Vishegradit.

error: Të drejtat e rezervuara !!