Ja sa ishte paga mesatare e prillit në Mal të Zi

Paga mesatare pa taksa dhe kontribute në Mal të Zi në prill, sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare (MONSTAT), arriti në 499 euro dhe ishte për 2.3 për qind më e lartë se në muajin mars.

Paga mesatare pa taksa dhe kontribute në prill, në krahasim me muajin e njëjtë vitin e kaluar, u rrit me 4.4 për qind, ndërsa në krahasim me fitimin mesatar neto të vitit të kaluar ishte 4 për qind më e lartë, në bazë të statistikave.

“Duke pasur parasysh se çmimet e konsumit në muajin prill në krahasim me muajin mars u rritën me 0.4 për qind, del se fitimi neto real në të njëjtën periudhë u rrit me 1.8 për qind”, thuhet në njoftimin e MONSTAT.

Paga mesatare bruto në muajin prill arriti në 751 euro.

Të ardhurat mesatare pa taksa dhe kontribute, në muajin prill në krahasim me muajin mars shënuan një rritje në sektorët e aktiviteteve të furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 6.4 për qind, pasuritë e patundshme 5.9 për qind, mbrojtje shëndetësore dhe sociale 4.5 për qind, industria e përpunimit 4.1 për qind, miniera dhe gurore 4 për qind, transport dhe magazinim 2.8 për qind, tregti me shumicë dhe pakicë 2.1 për qind, aktivitetet e shërbimit administrativ dhe mbështetje 1.9 për qind.

Rënia është shënuar në sektorët e ndërtimit me 2.4 për qind, veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike 0.5 për qind dhe arsim me 0.4 për qind.

Shperndaje