Kurti: Protestë paqësore, por jo e qetë – do ta ndalim demarkacionin

Deputeti dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur i bindur se opozita dhe sidomos Vetëvendosje, do ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në seancën e 1 shtatorit.

Gjatë një konference për media, Kurti ka thënë se aktiviteti i Vetëvendosjes do të përqendrohet si në seancë të Kuvendit ashtu edhe në protesta në rrugë, për të mos lejuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Deputeti Albin Kurti tha se protesta e nesërme është paqësore, por jo e qetë, sepse, sipas tij, njerëzit e qetë nuk dalin në protestë.

“Nuk do të kisha thënë protestë e qetë, sepse jemi njerëz të shqetësuar dhe njerëzit e shqetësuar nuk dalin në protestë të qetë. Por, do të jetë protestë paqësore. Do të jetë protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë, të cilën do ta shihni nesër, jam i bindur që ne do t’ia arrijmë ta ndalim Demarkacionin”, ka thënë Kurti.

“Pra, unë jam i bindur dhe shumë i qartë se çfarë synojmë, çfarë duam dhe çfarë do të arrijmë”, ka deklaruar ai.

Me gjithë tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës pritet që më 1 shtator të diskutojë dhe më pas edhe votojë për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të nevojiten dy të tretat apo 80 vota të deputetëve.

Vetëvendosje publikon orarin e protestës. Policia e Kosovës, në gatishmëri

Lëvizja Vetëvendosje, përmes llogarisë së saj në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar orarin e nisjes së qytetarëve nga të gjitha qendrat e Kosovës për në protestën e 1 shtatorit që mbahet në Prishtinë.

Protesta mbarëpopullore është thirrur nga subjekti politik opozitar me qëllim për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje që pritet të votohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Protesta do të nisë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa seanca plenare do të fillojë vetëm 30 minuta më von, pra në orën 11:30.

Për këtë protestë është përgatitur edhe Policia e Kosovës, e cila siç raporton “Zëri”, ka rritur numrin e efektivëve të saj për të siguruar që gjithçka gjatë ditës së nesërme të zhvillohet brenda normave të rendit dhe sigurisë në vend.

Gjithashtu mësohet se edhe KFOR-i ka urdhëruar të gjithë civilët e saj të armatosen dhe të jenë të gatshëm për protestën që do të zhvillohet nga Vetëvendosje.

Burime të gazetës në fjalë bëjnë të ditur gjithashtu se nesër mund të pengohen disa deputetë dhe të mos lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!